Prej disa ditësh ka nisur aplikimi i studentëve ekselentë për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë. Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko në një deklaratë për media, ka bërë me dije se numri total i kuotave është 100, ndërsa sqaroi se aplikantët duhet të plotësojnë disa kritere.
Kuko sqaroi se për t’u bërë pjesë e kësaj akademie, të rinjtë duhet të vijnë nga degët e jurisprudencës, ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit, me një mesatare minimale 8 për të dy ciklet e studimit.
“Prej disa ditësh kanë nisur aplikimet e të rinjve, që njihen si studentët ekselentë për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë. Numri total i kuotave për këtë vit është 100. Këta të rinj që do të pranohen në radhët e Akademisë së Sigurisë janë pjesë e grupit që ne e kemi quajtur grupi i ekselencës, pasi duhet të plotësojnë disa nga kriteret që vijnë nga degët e jurisprudencës, ekonomisë ose teknologji informacioni. Mesatarja e bachelor dher master duhet të jetë nota nga 8 e lartë. Duhet të kenë dhe gjuhën angleze”, tha Kuko, teksa shpjegoi se në përfundim të ciklit të përshpejtuar të studimeve, pra 1 vit, këta studentë do inkuadrohen në radhët e policisë kriminale për të fuqizuar siç tha ajo, goditjen ndaj krimit ekonomik, kibernetik, etj.
Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Përcaktimi i kuotave të pranimit do të bëhet në bazë të nevojave të drejtorive vendore në qarqe:
17 kuota në qarkun Korçë;
5 kuota në qarkun Berat;
8 kuota në qarkun Fier;
13 kuota në qarkun Vlorë;
16 kuota në qarkun Gjirokastër;
13 kuota në qarkun Shkodër;
16 kuota në qarkun Kukës;
12 kuota në qarkun Dibër.
Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikantëve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.