Shqipëria ka inauguruar sot objektin e ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, në një postim në Facebook shkruan se ambasada e cila ishte dëmtuar nga sulmet ruse qëndron jo vetëm si një urë për bashkëpunimin afatgjatë midis Shqipërisë dhe Ukrainës, por edhe si një dëshmi për qëndrueshmërinë tonë dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme në paqe e progres dhe të një Evrope të bashkuar
“Përfundova vizitën time në Kiev, duke patur nderin të inauguroj ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Ukrainë 🇺🇦, përkrah kolegut tim Andrii Sybiha.
E hapur gjatë agresionit të vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe e dëmtuar nga sulmet e fundit me raketa ruse, ambasada qëndron jo vetëm si një urë për bashkëpunimin afatgjatë midis vendeve tona, por edhe si një dëshmi për qëndrueshmërinë tonë dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme në paqe e progres dhe të një Evrope të bashkuar, të fortë dhe të begatë”, shkruan ai. /Telegrafi/