Telegrafi

Shqipëria humb edhe ndeshjen e dytë

Pas humbjes nga Austria në ndeshjen e parë në Tiranë, Shqipëria e ka humbur edhe ndeshjen e dytë të grupit ndaj Holandës.

Shqipëria zhvilloi një pjesë të parë fantastike, të cilën e mbylli me 2 pikë epërsi, mirëpo një rënie e dukshme në lojë u pa në pjesën e dytë, duke bërë kështu që ndeshja të mbyllet me fitoren e ‘tulipanëve’ me rezultat 91-77.

Në çerekun e tretë, Holanda shënoi plot 21 pikë dhe pranoi 13, duke krijuar kështu një epërsi që do të vazhdonte të rritej në çerekun e fundit, çerek në të cilin Shqipëria shënoi vetëm 11 pikë, e në anën tjetër Holanda e udhëhequr nga Voorn e Franke vazhdoi lojën e mirë dhe e siguroi fitoren.

Voorn takimin e mbylli me 20 pikë, ndërsa Franke shtoi 15 të tjera në fitoren e holandezëve. Në anën tjetër, më të dalluarit te Shqipëria ishin Shima me 23 pikë, Bushati me nga 21 pikë, ndërsa u ndihmuan edhe nga Hysenagolli dhe Moser, të cilët patën nga 15 pikë secili.

Përkundër humbjeve në 2 ndeshjet e para, Shqipëria matematikisht ka ende gjasa për ta kaluar grupin, mirëpo në ndeshjet e ardhshme duhet që së paku njërin kundërshtar (Austrinë apo Holandën) ta mposht me më shumë pikë diferencë sesa që është mposhtur në takimin e parë ndaj tij. /borozani/