Telegrafi

Shqipëria heq vizat për turistët nga 13 shtete

Për herë të parë këtë verë, Shqipëria pritet të heqë vizat me 13 vende të botës për qëllime turistike.
Lajmi është komunikuar sot nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me operatorët turistikë shqiptarë, me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Unionit të Operatorëve Turistikë të Shqipërisë.

Ahmetaj deklaroi se po diskutohet me Ministrinë e Jashtme propozimi për heqjen e vizave për disa destinacione, siç është Kina, Rusia, apo Bjellorusia, që kanë treguar interes për turizmin shqiptar.

Lidhur me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve për aeroportin e Rinasit, ministri tha se negociatat po shpejtohen, për të hapur edhe tre aeroporte të reja në Vlorë, Sarandë dhe Kukës, gjë që do të sjellë ulje të çmimit të biletave, shkurtim të kohës për të shkuar në pikat turistike, dhe mbi të gjitha rritjen e numrit të turistëve.

“Unë jam i bindur që ulja e tarifave, ulja e biletave, ulja e çmimeve do rrisë mobilitetin e shqiptarëve, por do të rrisë patjetër numrin e turistëve. Sigurisht që në krahasim të konkurueshmërisë me rajonin, unë kam kërkuar edhe uljen e TVSH-së, e cila është shumë e debatueshme dhe shumë e vështirë, dhe besoj e domosdoshme dhe do të jetë një betejë pozitive, me ministrin e Financave”, ka thënë më tej Ahmetaj.

Ligji i ri për turizmin pritet të hyjë në fuqi më 10 qershor, dhe qeveria shpreson që përmes rritjes së numrit të turistëve, do të ketë më shumë të ardhura, dhe një rritje më të lartë ekonomike, kjo edhe përmes zhvillimit të turizmit gjithëvjetor.

Vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi kanë qenë në shumën e 1.3 miliardë lekëve, por ministri Ahmetaj tha se synimi për vitin 2015 është që të kalohet kjo shifër.