Telegrafi

Shqipëria fokusi kryesor i investimeve sllovene

Kryeministri i Sllovenisë vlerësoi arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ndërkohë dhe konfirmoi investimet e 20 kompanive sllovene, që do të fillojnë së shpejti aktivitetin në Shqipëri. Pahor tha se Shqipëria do të jetë destinacioni kryesor në Evropë, në të cilin Sllovenia do të fokusohet për investime.

"Sllovenia po kërkon treg të ri në Evropë për të investuar në sektorë të ndryshëm dhe Shqipëria do të jetë në fokusin kryesor të investitorëve sllovenë. Shqipëria është një vend ku mund të investohet pasi ofron lehtësira ekonomike, të cilat janë mjaft të nevojshme për investitorët. Dy qeveritë janë të vendosur të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të krijohen lehtësira për biznesin. Për këtë arsye ne vendosëm të ngrinim edhe Këshillin e Biznesit për të dy vendet, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë në nxitjen e investimeve”, deklaroi Pahor.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i ka bërë thirrje biznesit slloven të investojë në Shqipëri, pasi do të gjejnë një vend me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Kryeministri theksoi se falë reformave të realizuara vitet e fundit, Shqipëria ofron taksat më të ulëta në Evropë, si dhe klimën më të favorshme për investitorët e huaj. Për këtë arsye, u shpreh kryeministri, “i bëj thirrje biznesit slloven që të investojë në Shqipëri pasi do të ketë edhe përkrahjen e qeverisë”. Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar për investitorët e huaj, pasi ofron potenciale të mëdha zhvillimi dhe siguri për kapitalin që investohet. Shqipëria është një vend, i cili ofron potenciale të mëdha zhvillimi.

Në përfundim të Forumit të përbashkët ekonomik Shqipëri-Slloveni, u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit nga zëvendësministrat e jashtëm të dy vendeve, Selim Belortaja dhe Vladimir Gasparic. Po ashtu u firmos dhe kontrata midis dy kompanive, asaj shqiptare Albsig dhe asaj sllovene Triglav, sipas të cilës kompania sllovene Triglav blen 51% të aksioneve të kompanisë shqiptare Albsig. /Telegrafi/