Telegrafi

Shqipëria filloi me eksport të energjisë elektrike

Sipas gazetës "Shqip", dje KESH-i ka eksportuar 2,5 milionë kilovatë orë energji elektrike për Kosovën, ndërsa pritet që ditëve të ardhshme të fillojë të eksportojë nga të paktën pesë milionë kilovatë orë në ditë për tregun rajonal.

Ministri shqiptar i Energjetikës, Dritan Prifti tha se të reshurat veçmë "i japin rezultatet e para", sepse derdhjet e mëdha në liqene janë garancë për prodhim maksimal dhe eksport të energjisë.

"Qëllimi i ynë kryesor është që importi të jetë zero, ndërsa eksporti të arrijë numra maksimalë", tha Prifti.

I pyetur për bashkëpunimin me Kosovën në fushën e energjetikës, Prifti tha se me Kosovën kanë një projekt të përbashkët për shkak se në Kosovë prodhimi i energjisë është termo, ndërsa në Shqipëri prodhimi i energjisë elektrike është hidro.

"Ky fakt na jep mundësi për bashkëpunim. Në takimet tona do të jenë dhe projektet e përbashkëta në ndërtimin e hidrocentraleve", tha Prifti.