Telegrafi

Shqipëria është gati për t’i dhënë një port Kosovës

Ministrat e qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, ministër i Transporteve, Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zharku, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, të cilët shoqëroheshin nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, i kanë dorëzuar kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë për të hapur bisedimet rreth portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës.

Gjithashtu u theksua se rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik dhe pas mbarimit edhe të portit distancën e Kosovës me tregun e gjerë evropian.

Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë në mënyrë të përbashkët gjithmonë e më shumë drejt hapave të integrimit dhe njësimit të praktikave në fusha të ndryshme për tu krijuar sa më shumë lehtësi qytetarëve të tyre. /Balkanweb/