Site icon Telegrafi

Shqipëria e 95-ta në botë për kontributin në turizëm

Kontributi i turizmit në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) e Shqipërisë pritet që të jetë 26.3 për qind për vitin 2018. Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin për vitin 2018 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive. Sipas raportit, kontributi i drejtpërdrejtë i këtij sektori në PBB në vitin 2017 ishte 1.134 miliardë lekë, apo 8.5 për qind e PBB-së.

Kjo parashikohet të rritet me 3.9 për qind në 393.3 miliardë lekë në vitin 2018.

“Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve (me përjashtim të shërbimeve të udhëtarëve). Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët”, citohet në raport.

Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB pritet të rritet me 4.7 për qind, duke arritur në 2,202 miliardë lekë, apo 9.3 për qind të PBB-së deri në vitin 2028. Kontributi i përgjithshëm i turizmit në PBB, përfshirë efektet më të gjera nga investimi, zinxhiri i furnizimit dhe impaktet e të ardhurave ishte 414.2 miliardë lekë në 2017, apo 26.2 për qind e PBB-së dhe pritet të rritet me 4.4 për qind në 432.3 miliardë lekë, apo 26.3 për qind të PBB-së në vitin 2018. Ndërsa, në terma afatgjatë, parashikimi për 2028 është rritje me 4.7 për qind në 684.2 miliardë lekë në vitin 2028 ose 28.9 për qind të PBB-së.

Në raport, gjithashtu theksohet se Shqipëria renditet e 95-ta në botë sa i përket ndikimit të këtij sektori në PBB e vendit, me një rritje të lehtë të një shkallë nga viti i mëparshëm.

Në vitin 2017 turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 93,500 vende pune, apo 7.7 për qind të totalit të punësimit. Kjo pritet të rritet 3.3 për qind në vitin 2018 dhe rritje me 1.4 për qind në 111 mijë vende pune, apo 8.8 për qind të totalit të punësimit në vitin 2028. Në vitin 2017, kontributi total i turizmit në punësim, duke përfshirë edhe vende pune të mbështetura në mënyrë indirekte nga industria, ishte 24.1 për qind e totalit të punësimit, apo 291 mijë vende pune. Kjo pritet të rritet me 3.8 për qind në 2018 në 302,500 vende pune dhe do të rritet me 1.3% në 344 mijë vende pune në vitin 2028, apo 27.3 për qind të totalit.

Eksportet e vizitorëve kanë gjeneruar 135.5 miliardë lekë, apo 1,974.1 milion dollarë, pra 54.2 për qind të totalit të eksporteve në vitin 2017. Raporti parashikon që ky segment të rritet me 3.6 për qind në 2018 dhe me 4.7 për qind në periudhën nga 2018-2028, në 387.4 miliardë lekë, apo 3,247.4 milionë dollarë në 2028, 62.2 për qind të totalit.

Eksportet e vizitorëve janë një komponent kyç i kontributit të drejtpërdrejtë të ‘Travel & Tourism’. Në vitin 2017, Shqipëria pati 235.5 miliardë lekë të ardhura nga eksportet e vizitorëve. Në 2018, kjo pritet të rritet me 3.6 për qind dhe vendi pritet të tërheqë 4.85 milionë turistë ndërkombëtarë. Deri në vitin 2028, ardhjet turistike ndërkombëtare parashikohet të arrijnë në 6.6 milionë duke gjeneruar shpenzime prej 387.4 miliardë lekë, një rritje prej 4.7 për qind.

Investimet në këtë sektor në vitin 2017 ishin 32.2 miliardë lekë, 7.5 për qind të totalit të investimit, apo 269.9 milionë dollarë. Parashikohet të rritet 5.5 për qind në vitin 2018 dhe sërish do të rritet me 4.4 për qind gjatë dhjetë viteve të ardhshme, duke arritur në 52.1 miliardë lekë në 2028, 8.2 për qind të totalit. Ky sektor ka tërhequr investime kapitale prej 32.2 miliardë lekësh në vitin 2017. Kjo pritet të rritet me 5.5 për qind në 2018 dhe të rritet nga 4.4 për qind gjatë dhjetë viteve të ardhshme, duke arritur në 52.1 miliardë lekë në vitin 2028. Pjesa e udhëtimit dhe turizmit në investimet e përgjithshme kombëtare do të rritet nga 7.6 për qind në 2018 në 8.2 për qind në vitin 2028. /Monitor /Telegrafi/

Exit mobile version