Telegrafi

Shqipëria e 4-ta në Evropë me vreshtat më të bukura

Evropa është e famshme për verën e saj, me rajone si Shampanja, Bordo dhe Toskana që prodhojnë varietete rrushi të klasit botëror.

Por vreshtat e Evropës nuk janë të njohura vetëm për krijimin e verërave të shijshme, ato ofrojnë gjithashtu disa prej pamjeve më mahnitëse të kontinentit.

Për të gjetur vreshtat më piktoreske, agjencia ndërkombëtare turistike DFDS hulumtoi komentet e turistëve duke analizuar shpeshtësinë e fjalëve kyçe si “e bukur” dhe “piktoresk” në komentet në Google të turistëve.

“Ne siguruam që këto terma të lidheshin drejtpërdrejt me mjedisin e vreshtit, ç’ka na lejon t’i caktojmë secilit vresht një pikë bukurie. Mbi bazën e gjetjeve, ne bëmë një renditje të 10 vreshtave më të bukura të Evropës”, thotë agjencia.

Duke analizuar komentet që flasin për bukuritë e vreshtave në bregdetin jugor kroat e deri tek ato për vilat historike franceze në fshatin e famshëm të Burgundisë, Agjencia renditi vreshtat në Shqipëri, të katërtat më të bukurat në Europë.

Veraria Avaia, 10 minuta larg qytetit të Durrësit futi Shqipërinë në listën e 10 vreshtave më të bukura në Europë.

Sipas DFDS-së, veraria Abaia në Shqipëri, është e re në skenën e verërave në Shqipëri. Ajo nisi kultivimin e vreshtave të saj në një sipërfaqe prej një hektari në vitin 2019 dhe prodhimin e parë e mori në verën e vitit 2021.

“20 minuta me makinë nga qyteti bregdetar Durrës, kantina e verës ndodhet brenda dy bunkerëve të ndërtuar gjatë epokës komuniste. Mysafirët mund të vizitojnë bunkerët për të parë procesin e fermentimit të verës përpara se të eksplorojnë vreshtin e gjerë përgjatë shtigjeve të ndriçuara nga dritat vezulluese, ku mund të dallojnë edhe shpendët e mëdhenj sa një pulë deti, me një xhufkë në kokë, me pendë shumëngjyrëshe e të ndritshme, shumë të gjata në bisht, të cilat i hapin si erashkë”, përshkruan DFDS.

Veraria Abaia, vijon përshkrimin Agjencia, përdor dy lloje rrushi: Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë, që përkthehet përkatësisht në “fushë e zezë” dhe “fushë e bardhë”.

Të dy varietetet e rrushit për verë, thekson ajo, e kanë origjinën nga Shqipëria.

“Veraria prodhon gjithashtu raki, një pije tradicionale shqiptare me një ABV 45-50% që zakonisht shijohet së bashku me mezet në shoqërinë e miqve dhe familjes. Restoranti i kantinës, i hapur në vitin 2023, është vendi i përsosur për të shijuar kulturën shqiptare me njerëzit e dashur”, thuhet në artikullin e Agjencisë. /Telegrafi/