Telegrafi

Shqipëria duhet ta mbrojë perspektivën e saj evropiane

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, Engel dhe Kirk kanë theksuar “mbështetjen e tyre të fuqishme për Shqipërinë, për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe kanë thënë se "janë thellë të tronditur nga trazira aktuale politike”.

“Një hetim i besueshëm dhe i pavarur për ngjarjet e 21 janarit është absolutisht kritik, që populli i Shqipërisë të ketë besim se zgjidhja për trazirën politike mund të arrihet”, thuhet në deklaratë.

Senatori Kirk dhe kongresmeni Engel thonë se “i mbështesim fuiqshëm institucionet kushtetuese të Shqipërisë, që do ta bëjnë këtë hetim”, duke shtuar se "e mirëpresin kërkesën për ndihmë teknike nga Shtetet e Bashkuara, për t’i shtuar kapacitetet hetuese dhe për ta forcuar besimin në pavarësi të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”.

Në vazhdim të deklaratës së tyre, ata theksojnë se “Shqipëria është demokraci që duhet ta mbrojë perspektivën e saj evropiane dhe se të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë të lira për ta kryer punën e tyre”.

Në deklaratë, senatori Kirk dhe kongresmeni Engel thonë se “retorika politike në Shqipëri është thjesht shumë e lartë, që partitë ta gjejnë mënyrën për të dalë nga ky moçal”.

Në këtë kuadër ata u bëjnë thirrje liderëve në Shjqipëri që t’i zbusin fjalët e ashpra dhe ta reduktojnë temperaturën politike, në mënyrë që të mund të vazhdojë një dialog efektiv, për ta gjetur daljen nga kjo krizë”.

Senatori Kirk dhe kongresmeni Engel theksojnë se “derisa e mbështesin plotësisht të drejtën për fjalën e lirë dhe për tubim për popullin e Shqipërisë, ata besojnë se synimi i uljes së emocioneve dhe tensioneve të larta, do të arrihej më mirë nëse tubimet masive dhe ngjarjet politike do të suspendoheshin derisa të rivendoset qetësia”. /Telegrafi/