Në një kohë kur opozita ka hyrë në muajin e 6 të bojkotit të institucioneve politike sekretari i Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger nga Tirana i ka bërë thirrje për ndërrimin e kursit.
“Shpresojmë që ngërçi aktual politik do të tejkalohet së shpejti. Duhet një zgjidhje e brendshme. Pjesëmarrja në institucionet demokratike është rruga e vetme dhe legjitime për të pasur fuqi dhe influencë politike . Dialogu duhet të realizohet duke zbatuar kushtetutën dhe po ashtu institucionet legjitime”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndodhet në Tiranë për të parë përgatitjet për marrjen e kryesimit të OSBE. Prioritet e presidencës shqiptare i dha ministri në detyrë për Evropën dhe Punën e Jashtme, Gent Cakaj.
“Po punojmë fuqimisht në tre aspekte: atë politik, financiar dhe të burimeve njerëzore. Së pari, aspekti politik ka të bëjë me finalizimin e prioriteteve. Së dyti, qeveria po vë në dispozicion të gjitha burimet financiare të nevojshme për një mbarëvajtje sa më të mirë të kryesimit. Së treti, tashmë kemi emëruar diplomatët më të mirë e më të përkushtuar si në Misionin tonë në Vjenë, ashtu dhe në Task Forcën e ngritur në Tiranë për këtë qëllim”, tha Cakaj.
Thomas Greminger e quajti marrjen e presidencës nga Shqipëria si një lajm i mirë në shumë dimensione.
“Do të jetë gjithashtu një ushtrim goxha frymëzues dhe shpërblyes nga aspekti politik dhe mendoj se do të çojë në përmirësimin e profilit politik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kryesimi i mirë i OSBE-s do të jetë një prej argumenteve më të forta për progresin dhe drejt pranimit të Shqipërisë në BE. Kryesimi një organizate shumëkombëshe kërkon një Shqipëri të bashkuar’, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 Qershorit tha se është një çështje që duhet të marrë vlerësimin e organizmave shqiptare. /TCH/