Telegrafi

Shqipëria do të marrë 300 milionë euro në tregun evropian të bonove

Agjencia e njohur Bloomberg njoftonte dje se Shqipëria i bashkohet në këtë nismë dhjetëra vendeve të tjera që e kanë bërë këtë gjë, shtyrë edhe nga vështirësitë e mëdha në tregun e brendshëm të huamarrjes, por edhe nga nevoja për ta çliruar këtë treg.

Marrja e këtyre 300 milionë eurove nëpërmjet shitjes së bonove të Thesarit është një borxh i mirëfilltë dhe përfitimi i vetëm i tij dhe i rëndësishëm është fakti që qeveria mund ta marrë atë me kosto relativisht më të lirë se sa të marrë një kredi tregtare në një bankë të caktuar, siç bëri dy vite më parë.

Gjithashtu, marrja e këtij borxhi në tregun e huaj i lë hapësirë bankave në Shqipëri që ato të jenë më të lira për të dhënë kredi për ekonominë në vend duke qenë se një pjesë e parave që i jepeshin qeverisë tashmë do të jetë e lirë. Bankat e nivelit të dytë humbin me këtë rast edhe një mundësi të madhe për të pasur fitime të sigurta dhe të mëdha duke i shitur pará qeverisë shqiptare. Shqipëria është një vend, ku sistemi bankar kishte vite që merrte fitime të mëdha nga blerja e bonove të Thesarit duke mbajtur po ashtu edhe norma të larta për biznesin.

Tashmë presioni mbi bankat do të jetë më i madh. Në terma të tjera, marrja e parave nga bankat me anë të bonove të Thesarit quhet edhe shitje e borxhit duke qenë se bëhet fjalë për borxh në buxhet, i cili mbulohet me këto pará.