Telegrafi

Shqipëria dhe Serbia, me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkan

Shqipëria ka shënuar një rritje të dobët ekonomike për vitin 2014, krahasuar kjo edhe me vendet e tjera të Rajonit. Nëse Maqedonia, Mal i Zi, Turqia, apo edhe Kosova, kanë shënuar rritje, Shqipëria dhe Serbia kanë shënuar rënie, me një rritje ekonomike vjetore 1.8 %.

 

Të dhënat janë publikuar sot nga një raport i hartuar nga Komisioni Evropian, që e sheh negativisht këtë rezultat për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër që aspiron të anëtarësohet në BE.

 

Në raportin e tij Komisioni Evropian vlerëson se ekonomia shqiptare për vitin 2014 ka një rritje prej 1.8%. Sipas raportit për tremujorin e katërt të 2014-ës të KE për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për në BE , kjo rritje rezulton më e ulët se parashikimi i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare në 2%.

 

Raporti vlerëson rikthimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me 3.3% me bazë vjetore, e udhëhequr nga tregtia e shërbimet, ndërtimi dhe më pak industria, raporton KosovaPress.

 

“Ndikim të ndjeshëm në përshpejtimin e rritjes vijon të ketë fuqizimi i konsumit privat i ndikuar nga treguesit e tregtisë me pakicë,” thuhet në raport.

 

Ajo që shihet problematike nga ekonomistët evropianë mbetet niveli i lartë në 24,9% i kredive të këqija në tremujorin e tretët të vitit.

 

Kjo sugjeron se procesi në vazhdim i kthimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe kërkohen më shumë përpjekje për të pastruar bilancet e bankave në një mënyrë të qëndrueshme.

 

Raporti vlerëson rritjen e të ardhurave buxhetore, me 12.6% me bazë vjetore për 11 mujorin, megjithëse 0.7% më pak se plani i rishikuar, por thekson se ulja e deficitit buxhetor ka ardhur më të shumti nga rënia e shpenzimeve për investime.

 

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë e reduktuar me 2%, Shqipëria vlerësohet të ketë pasur rritjen më të ulët në vitin e kaluar.

 

Maqedonia vlerësohet të jetë rritur me 3.9%, Mali i Zi me 2% dhe Turqia 2.8%. Në raportin, që botohet çdo tre muaj, analizohen ekonomitë e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Turqisë dhe Islandës. /KP/