Site icon Telegrafi

Shqipëria dhe Kosova rrisin bashkëpunimin për të luftuar krimin e terrorizmin

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Lleshaj ka njoftuar se me homologun nga Kosova, Agim Veliu kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë njofton se me Veliun kanë rënë dakord që të ngrihen grupe të përbashkëta që të zbatojnë sa më mirë marrëveshjet e nënshkruara.

Njoftimi i plotë i Lleshajt

Sot në Prishtinë pata një takim zyrtar me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Agim Veliu dhe delegacionin që e shoqëronte.

Dakordësuam se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është i një rëndësie të veçantë, por edhe kusht i ndërtimit të marrëdhënieve në fushat e tjera të interesit të përbashkët.

Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, kundër migracionit ilegal, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar, por edhe siguria publike në përgjithësi janë fushat ku punohet për të thelluar bashkëpunimin policor. Gjatë takimit u diskutuan çështje të forcimit të marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu folëm mbi zbatimin e protokollit për oficerët e kontaktit, si dhe ecurinë e zbatueshmërisë së Pikave të Kalimit Kufitar mes dy vendeve.

Me homologun e Kosovës ramë dakord që të ngrihen grupe të përbashkëta pune me qëllim koordinimin më të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe bashkëpunimit policor.

Exit mobile version