Telegrafi

Shqipëria dhe Kosova përplasen për referencat në dogana

Kosova kërcënon se do të ankohet zyrtarisht kundër Shqipërisë në sekretariatin e CEFTA-s, bordit që mbikëqyr marrëveshjen e përbashkët të tregtisë së lirë në rajon.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se na vendosin çmime që shkojnë deri në 300 për qind të vlerës së mallit. "Dua të besoj se do gjendet një zgjidhje në të kundërt do jemi të detyruar të kërkojmë ndërhyrjen e palëve të treta”, shton Gërxhalliu.

Kosova, sipas tij, i ka bërë të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur këtë ngërç, por pa rezultat. Madje pala kosovare hedh dyshime se Shqipëria po bën proteksionizëm për të favorizuar grupe të caktuara.

Sipas Gërxhaliut marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës prej vitesh janë në krizë.

Kosova po pret mbledhjen e ardhshme të sekretariatit të CEFTA-s që do të zhvillohet së shpejti në Hungari. Nëse deri atëherë kriza nuk do të jetë zgjidhur, atëherë për herë të parë Kosova dhe Shqipëria do të jenë zyrtarisht në një konflikt zyrtar, ku do kërkohet ndërhyrja e ndërkombëtarëve për t’u zgjidhur. /Tch/Telegrafi/