Shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të mund të udhëtojnë në Shqipëri me pasaportat me afate të skaduara. Siç raporton Alsat, policia shqiptare nuk do të krijojë asnjë pengesë për pasaportat me afat të skaduar të shtetasve të RMV-së.
Ky vendim do të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti, gjegjësisht 31 dhjetor. Kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës, që nënkupton se shtetasit e Maqedonisë që posedojnë pasaporta me afat të skaduar deri më 31 dhjetor do të mund të udhëtojnë edhe në Kosovë.
Përkujtojmë se me propozim të deputeteve Kuvendi ka miratuar ndryshimet e Ligjit për dokumentet e udhëtimit me çka nga 1 korriku vazhdohet afati i vlefshmërisë së dokumenteve deri më 31 dhjetor.
Në mungesë të ekzemplarëve të pasaportave një situatë e tillë ishte edhe vitin e kaluar gjatë kulmit të pandemisë. Me dekret të Qeverisë në vitin 2020, njësoj u mundësua që shtetasit tanë të mbetur nëpër vendet tjera si pasojë e karantinës nga virusi korona, të kthehen lirshëm në vendlindje edhe me pasaporta të skaduara.