Bregdeti i mrekullueshëm, temperaturat e larta, peizazhet e larmishme natyrore, natyra e virgjër, kulinaria etj., janë vetëm disa nga atraksionet turistike të vendit tonë, që kanë joshur 189 vizitorët nga Bjellorusia të udhëtojnë drejt vendit tonë.
Të premten në Shqipëri mbërritën turistët e parë pas bllokimit të fluturimeve nga pandemia me një avion çarter nga kryeqyteti i Bjellorusisë, Minsk, drejt Tiranës.
Avioni Boing 737-800, preku pistën e aeroportit të Rinasit, në orën 17:30 ku i pranishëm ishte ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi që i dha mikpritjen e parë vizitorëve të mbërritur nga Minsk.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ka prekur nga afër emocionet e para të vizitorëve të ardhur nga lindja, të cilët falënderuan vendin tonë për këtë mundësi që iu dha.
“Unë jam Viktori dhe e dua shumë Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur dhe kjo është vizita ime e parë këtu”, u shpreh një nga turistët nga Bjellorusia që mbërriti në vendin tonë së bashku me familjen e tij.
“Nuk kemi frikë nga COVID-19. Nuk e konsiderojmë një virus të tmerrshëm dhe nuk jemi të frikësuar. Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm, dhe reliev të bukur malor. Po ashtu ka njerëz mjaft mikpritës dhe ne do qëndrojmë një muaj këtu”, tha bashkëshortja e Viktorit.
“Kjo nuk është hera jonë e parë këtu në Shqipëri. Ne ishim vjet për pushime këtu në Durrës. Edhe këtë vit kemi zgjedhur të shkojmë sërish në Durrës, nga ku do të marrim një automjete me qira dhe me të cilin do të shëtisim qytetin dhe bregdetin. Plazhi këtu është i mrekullueshëm dhe temperaturat janë të larta, kjo i bënë shumë mirë edhe fëmijëve për shëndetin”, tha një zonjë tjetër, e cila ishte kishte udhëtuar së bashku me familjen e saj nga Bjellorusia drejt vendit tonë.
“Kjo është hera e parë që vi në Shqipëri. Do shijoj detin dhe do të relaksohem në hotel”, tha një turist tjetër.
Ndërkohë, një turistë tjetër tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se kishte udhëtuar i vetëm nga Bjellorusia dhe se nëse do të kalonte mirë, do merrte edhe familjen e tij në vizitën e radhës në Shqipëri.
“Po, kjo është hera e parë që vij këtu. Kam ardhur të për të parë nga afër vendin dhe nëse do më pëlqejë do të marrë dhe familjen time. Kësaj radhe kam ardhur i vetëm. Do vizitoj plazhet, malet, do shijoj diellin. Kam dëshirë të shkoj në qendrat turistike dhe të shijoj gjithashtu dhe ushqimin tradicional që Shqipëria ka”, u shpreh ai për ATSH.
“Po është hera e parë që vij këtu. Si fillim do të ikim në plazh dhe më pas dua të vizitoi të gjithë vendin. Kam parë në internet se Shqipëria ka natyrë piktoreske. Do qëndrojmë dy javë këtu. Këtu picat dhe makaronat janë shumë popullore, por ka dhe ushqime të tjera, pjata të tjera tipike tradicionale”, thekson një tjetër turiste e cila ishte në këtë vizitë turistike në vendin tonë ishte së bashku me djalin e saj.
“Impresiononi im i parë është që Shqipëria është një vend i bukur, i ngrohtë dhe mikpritës”,- tha një tjetër turiste. “E di që Shqipëria ka qenë e izoluar, por tashmë është e lirë për tu vizituar dhe e hapur për turistët dhe së bashku me familjen dua të vizitoj sa më shumë vende”, tha turistja, e cila theksoi se Shqipëria po dëshmon se është një vend i sigurt nga COVID-19.
“Deri më tani duket një vend i sigurt. Na u kërkua të ruanim distancën dhe të zbatojmë masat e sigurisë, duke na mbrojtur kështu shëndetin. Ne do qëndrojmë 12 ditë”, tha turistja për ATSH-në.
“Jam këtu me mamanë time, vijmë për herë të parë në Shqipëri dhe uroj të vizitoj sa më shumë vende. Shqipëria është shumë e bukur”, u shpreh një tjetër turiste.
“Po, kjo është hera e parë që vi në Shqipëri. COVID-19 e bllokoi turizmin dhe falënderoi Shqipërinë që pranoi turistë nga Bjellorusia. Ju faleminderit për këtë mundësi”, tha një turist nga Bjellorusia.
“Po, kjo është hera ime parë që vi në Shqipëri. Do qëndrojë 7 ditë dhe do qëndrojë në Durrës”, tha një zonjushë më tutje.
Tashmë me çeljen e turizmit, pritet që Boing 737-800 të realizoi udhëtime të tilla turistike dy herë në javë, të martë dhe të premte, teksa pritet dhe nisja e fluturimeve nga Vjena, Austria dhe Athina, Greqia. /atsh/