Telegrafi

Shqipëria bllokon importin e gjedheve nga Kosova, Serbia, Greqia e Bullgaria

Shqipëria ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla (gjedhe) nga Kosova, por edhe nga Serbia, Greqia e Bullgaria. Shkak i ndalimit është përhapja në vendet fqinje e sëmundjes së dermatozes nodulare të gjedhit (LSD).

Ndërkohë me këtë rast ndalohet dhe importi i mishit të freskët të gjedhëve nga vendet e lartpërmendura nëse nuk janë të shoqëruara me kopje të certifikatës veterinare, që garanton se ato kanë kaluar trajtim që siguron shkatërrimin e virusit të Lumpy Skin Disease (LSD), shkruan sot Koha Ditore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri ka marrë masa në lidhje me zbatimin e urdhrit të ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, sipas të cilit “ndalohet importi dhe transitimi nga shtetet Kosovë, Serbi, Greqi dhe Bullgari për në territorin e Shqipërisë, për kafshët e gjalla gjedh që preket nga sëmundja dermatoza nodulare e gjedhit (LSD), si dhe ndalimin e importit nga Kosova Serbia, Greqia e Bullgaria në territorin e Shqipërisë, të spermës së kafshëve të llojit gjedh, që preken nga sëmundja në fjalë.”