15 vjet më parë Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake të NATO-s.
Në këtë përvjetor ajo qëndron e palëkundur në misionin e saj krah SHBA dhe aleatëve e partnerëve të saj, në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Botë.
Me pjesëmarrjen e efektivëve më të mirë të Forcave të Armatosura në misionet ndërkombëtare, Shqipëria i është bashkuar përpjekjeve të Aleancës për të përballuar sfidat e sigurisë, duke u vlerësuar si një aleate dinjitoze e NATO-s.
Në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës Shqipëria ka rritur ndjeshëm mbështetjen buxhetore për mbrojtjen, duke arritur objektivin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa vijon modernizimi dhe rritja e kapaciteteve brenda Forcave të Armatosura. Investimet në kapacitete dhe në teknologjinë moderne tregojnë se vendi ynë çdo ditë e më shumë po ndërton një forcë solide ushtarake për mbrojtjen e Atdheut dhe përballjen me sukses të sfidave të së ardhmes.
Më 4 mars 2024 u inaugurua baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, e cila do të jetë në funksion të misioneve të NATO-s, si pika e vetme strategjike e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke bërë që Shqipëria të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në rajon.
Në këtë 15 vjetor, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shpreh qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të vijuar rrugëtimin e përbashkët drejt një të ardhmeje të sigurt. “Krenarë që jemi pjesë e kësaj historie. Përkushtimi ynë ndaj vlerave euroatlantike do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar”, shprehet Ministri Peleshi në mesazhin e tij me rastin e përvjetorit të 15-të të anëtarësimit në NATO.
Më datë 9 prill, për të kremtuar këtë përvjetor, në Forcën Tokësore do të organizohet një ceremoni madhështore, ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të NATO-s dhe shtetit shqiptar. /Telegrafi/