Telegrafi

Shqipëri, ulet interesi i bonove të thesarit

Kjo është rënia e parë e interesit të Bonove me maturim vjetor që nga dhjetori i vitit të kaluar. Gjallërimi i kredisë, kërkesa e lartë e qeverisë për para dhe rritja e normës bazë në muajin mars kishin sjellë rritjen graduale të interesave të bonove gjatë pjesës së parë të vitit 2011.

Qeveria emetoi Bono në vlerën e 7.1 miliard lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme, 10.5 miliard lekë. Ndërkohë, interesat për Bonot me afat maturimi 3 mujor njohën një rritje të lehtë dhe u emetuan në ankandin e sotëm ne një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.47 për qind, nga 5.45 për qind që ishte në ankandin paraardhës.

Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 3.5 miliard lekëve, nga 3.6 miliard lekë që ishte oferta për financim. Diferenca më e ulët mes kërkesës dhe ofertës duket se ka bërë që për Bonot me maturim 3 mujor tendenca të jetë paksa e ndryshme dhe interesi të rritet edhe njëherë tjetër. /Telegrafi/