Telegrafi

Shqipëri, situatë alarmante për fuqi punëtore në hoteleri-turizëm

Përballë shtimit të vizitorëve të huaj në Shqipëri, mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e hoteleri-turizmit këtë vit po ndjehet akoma më shumë.

“Situata është shumë alarmante sepse nuk mungojnë vetëm kamarierë, banakierë, shefa kuzhine, kuzhinierë, mungojnë edhe pastruesit.”

Emigrimi, puna sezonale që ofron hoteleri-turizmi, zhvillimi me ritme të shpejta i sektorit, por dhe ulja e interesit të të rinjve për të studiuar në degët e kësaj fushë ka sjellë këtë boshllëk.

Në rang vendi ka një rënie të atyre që studiojnë në këtë fushë, jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe në shkollat profesionale.

Të dhënat e siguruara nga Tv Klan tregojnë se vetëm në shkollën e mesme profesionale Hoteleri- Turizëm në Tiranë brenda 5 vitesh ka një rënie me 23% të regjistrimeve për herë të parë.

Ekspertët e kësaj fushe, sugjerojnë disa ndërhyrje në sistemin e shkollave profesionale.

“Shkollat profesionale nuk duhet të kenë matematikën e aplikuar, nuk duhet të ketë maturën pasi ky është një nxënës që duhet t’i përkushtohet profesionit dhe jo ta ketë mendjen ti dalë një shkollë e lartë.”

Gjendur përballë kërkesës për mijëra punëtorë si të kualifikuar ashtu edhe të pakualifikuar, ende një pjesë e bizneseve thonë se nuk janë bërë gati për sezonin turistik.