Mozaiku amerikan dhe mundësitë që ky vend i jep çdo qytetari të botës, ishin tema e përzgjedhur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në pritjen e organizuar me rastin e ditës së pavarësisë. Ambasadori Donald Lu, solli përpara te ftuarve shembullin e babait të tij.
“Disa nga ju e dinë se këtë vit humba babin tim. Ai nuk kishte lindur amerikan, por ai zgjodhi të bëhej amerikan për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen e tij. Im atë pati një karrierë të gjatë si inxhinier. Ai nuk që kurrë i pasur, por u ofroj fëmijëve të tij mundësi që ai vetë nuk i kishte pasur kurrë”, u shpreh amabsadori Lu.
Një fjalim shumë domethënës u mbajt nga Gjon Junçaj, prokurori shqiptaro-amerikan, i cili prej disa muajsh është vendosur në Tiranë.
Ai tregoi se çfarë do të thotë një vend i madh.
“Në një vend të madh, djali i një emigranti mund të bëhet prokuror, i cili mund të dalë përpara gjykatave të nderuara dhe të deklarojë me krenari ‘Unë jam Gjon Junçaj dhe përfaqësoj popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’. Në një vend të madh, ai djalë mund të ketë privilegjin t’i shërbejë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atdheun e prindërve të tij”, deklaroi Junçaj.
Të pranishëm në këtë pritje ishin figurat më të njohura të politikës dhe shoqërisë civile në vend. /Telegrafi/