Telegrafi

Shqipëri, rritja ekonomike 9.9 %

Shqiptarët këtë vit kanë qenë thuajse 10 për qind më të pasur në vlerë nominale. Të paktën kështu tregohet nga shifrat e Institutit të Statistikës, sipas të cilave, rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ishte 9.9 % në tre-mujorin e tretë të 2008-s.

Sipas INSTAT-it, një nga kontribuuesit më të mëdhenj në rritjen e PBB-së vjetore për këtë 3-mujor, ka qenë postë-telekomunikacioni, i cili ka pasur rritjen më të madhe me 13%.

“Aktiviteti bujqësor u rrit me 0.1 për qind në tremujorin e tretë të 2008-s, krahasuar me tremujorin paraardhës, ndërsa krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.6 për qind”, – thuhet në dokumentin zyrtar të nxjerrë për publikim nga INSTAT-i.

Një nga sektorët me rritjen më të madhe për këtë tremujor ka qenë ndërtimi, i cili ka pësuar rritje prej 19.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Specialistët e INSTAT-it thanë se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës ka qenë kontribuuesi kryesor i këtij sektori. Këto janë rezultatet paraprake, pasi drejtues të Institutit të Statistikave thanë se shifrat do t’i nënshtrohen ripunimit.

Surpriza

Rritja vjetore e PBB-së në masën 9.9% për tre-mujorin e tretë të këtij viti është konsideruar si surprizë, megjithëse drejtuesit e qeverisë kanë deklaruar më herët se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë dyshifrore. Vetë përfaqësues të FMN-së, një muaj më parë thanë se parashikimet e rritjes ekonomike për këtë vit janë në të njëjtat nivele të vitit të kaluar prej 6 përqindësh.

“Për arritjen e këtyre rezultateve është bërë një punë e gjatë dhe këmbëngulëse e stafit të Llogarive Kombëtare në asistencë të plotë nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Eksperti i FMN-së, ka punuar ngushtësisht në INSTAT për një kohë të gjatë dhe intensive”, – tha dje në prezantim Ines Nurja, drejtoreshë e INSTAT-it, duke konfirmuar se këto shifra janë miratuar edhe nga institucioni financiar. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, në një prononcim për Balkan Insight, tha se nuk mendonte që ky parashikim ishte i saktë, pasi parashikimi i mëparshëm i FMN-së është 6%.

“Nuk ka ndodhur gjë, një ndryshim i tillë ngjan me një automjet, i cili ndryshon shpejtësinë nga 60 në 100 kilometra në orë dhe ne do ta vinim re”, – tha Cani për Balkan Insight. Në të shkuarën qeveritë kanë përdorur statistikat, duke raportuar rritje të kënaqshme të rritjes ekonomike, shifra të cilën janë korrigjuar më vonë.