Telegrafi

Shqipëri, rritet besimi i biznesit

Vrojtimi është bërë nga Banka e Shqipërisë, e cila në një raport të publikuar prej saj bën me dije se treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe ndërtimit u rritën respektivisht me 5.5 dhe 7.3 pikë përqindjeje. Përmirësimi i besimit në sektorin prodhues balancoi rënien e besimit në sektorin e shërbimeve dhe keqësimin e besimit konsumator. Besimi në këta sektorë ra me përkatësisht 2.2 dhe 1.6 pikë përqindjeje.

Sipas vrojtimit, treguesi i besimit në industri ka ndjekur një prirje rritëse që nga pika më e ulët e shënuar në tremujorin e parë të vitit 2009. Përmirësimi në këtë tremujor është arritur kryesisht nga rritja e balancës së prodhimit industrial dhe të punësimit. Vlerësimi i bizneseve të industrisë për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre më në veçanti, është rritur.

Bizneset kanë vlerësuar më pak negativisht faktorët që lidhen me praninë e ekonomisë joformale dhe faktorë të tjerë specifikë lidhur me biznesin e tyre. Pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2011 janë optimiste. Ata presin që përmirësimi në nivelin e kërkesës, të prodhimit dhe të gjendjes së përgjithshme të biznesit të tyre do të vijojë edhe gjatë tremujorit të ardhshëm. /Telegrafi/