Telegrafi

Shqipëri, rriten për 1 për qind të ardhurat nga sigurimet

Statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se rezultatin më të mirë për 7 mujorin e parë të këtij viti përsëri e shfaqi tregu i sigurimit të jetës, që u rrit me 14.5 për qind, ndërsa sigurimi i jo-jetës ra me rreth 0.9 për qind.

Megjithatë, ecuria e tregut vazhdon të jetë negative në kuptimin e numrit të kontratave të nënshkruara. Numri i kontratave në total ra me 14.7 për qind dhe përsëri segmenti që ka vuajtur më shumë ka qenë ai i jo-jetës, ku kontratat ranë me afro 17 për qind.

Kjo tregon se, pavarësisht se kompanitë e sigurimit kanë arritur të ruajnë volumin e primeve, numri i personave dhe subjekteve që janë siguruar këtë vit është ndjeshëm më i ulët.

Dëmet vazhdojnë të rriten me ritme shumë të larta se primet dhe për 7 mujorin e këtij viti. Vlera e dëmeve u rrit me 27.4 për qind, në vlerën e afro 1.2 miliardë lekëve. Raporti dëme-prime është rritur në 24.5 për qind, nga 19.5 për qind që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2009. /Telegrafi/