Telegrafi

Shqipëri: Rriten çmimet në prag të festave

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi dje gjendjen e çmimeve për artikujt bazë të konsumit.

Kështu, në muajin nëntor indeksi i çmimeve arriti 107.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (periudha bazë e krahasimit), duke shënuar një rritje të prej 0.2 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm.

Ndryshimi vjetor (inflacioni) në muajin nëntor ishte 2.8 për qind, që do të thotë se me këtë nivel janë rritur çmimet e produkteve në vend, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind.

Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.3 për qind vërehet në nëngrupin “sheqer e ëmbëlsira”, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të sheqerit me 6.3 për qind. Grupi “zarzavate përfshirë patatet” shënoi një rritje prej 2.1 për qind. /Tch/Telegrafi/