Telegrafi

Shqipëri, rivlerësohen pagat e policëve

Tashmë, grupi i punës po konsultohet edhe me organe të tjera, me qëllim për të rregulluar sistemin e pagave të punonjësve të policisë, që shpeshherë janë ankuar, jo vetëm për pagat e vogla, por edhe për problemet me shpërblimet, orët e vështirësisë, orët e natës dhe dietat, raportoi të hënën e përditshmja Shqip.

Vendimi për ngritjen e një grupi pune, me qëllim rivlerësimin e pagave të punonjësve të policisë, duket se ka ardhur pas një sërë këshillimesh për policinë shqiptare nga ana e ndërkombëtarëve. Në këto kushte, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur krijimin e grupit të punës. Një ndër detyrat e para të këtij grupi ka qenë mbledhja e informacionit rreth proceseve të Administratës Publike dhe Policisë së Shtetit në lidhje me përcaktimin e strukturës së pagave për punonjësit e policisë dhe ata civilë në polici.

Veç kësaj, grupi i punës ka identifikuar masën e pajtueshmërisë së proceseve aktuale, që ndikojnë në pagat e punonjësve civilë dhe ata policorë me parimet e Bashkimit Europian për pagë të barabartë në punë me vlera të barabarta.

Gjithashtu, grupi, i cili është ndarë në dy nëngrupe ka rishikuar të dhënat e brendshme të Policisë së Shtetit dhe duhet të hartojë kuadrin e përgjithshëm të skemës aktuale të shpërndarjes së kostos së pagave dhe shpërblimeve, si dhe mungesat organike e shkallën e qarkullimit të personelit në lidhje me nivelet e pagave të punonjësve të policisë. /Telegrafi/