Telegrafi

Shqipëri: Rënia e të ardhurave, pasojë e papunësisë

Ekspertët e Ministrisë së Financave së Shqipërisë, gjykojnë se pasojë e rënies së të ardhurave është ulja e kontribuuesve. “Nga evidencat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që i referohen katër mujorit të parë të vitit 2010, rezulton se: në total ka një rënie të numrit mesatar mujor të të punësuarve për 0.8 për qind krahasuar me katër mujorit të parë të 2009”, thuhet në buletinin fiskal të ministrisë.

Për sektorin privat, rënia e numrit të të punësuarve (mesatarisht në muaj) është prej 0.5 përqindësh (4-mujor 2010 kundrejt katër mujor 2009). Megjithatë, brenda kësaj shifre, subjektet me TVSH kanë një rritje të kontribuuesve prej 4.5 përqindësh, ndërsa subjektet e biznesit të vogël një ulje prej 8.8 përqindësh. Numri mesatar mujor i të punësuarve në sektorin publik (buxhetorë dhe ndërmarrje shtetërore) rezulton i reduktuar me 2.7 për qind.

Sipas sektorëve të ekonomisë, janë ulur të punësuarit në prodhim për 1.7 për qind, ndërtim është ulur për 4.8 për qind, transporti për 5.2 për qind, ndërsa me rritje janë tregtia dhe shërbimet. /Shqip/