Site icon Telegrafi

Shqipëri, Qeveria emeton bono thesari në euro

Në qershor 2010, qeveria zhvilloi një ankand të konsideruar nga Ministria e Financave si “i jashtëzakonshëm”, ku u emetuan 25 milionë euro bono me afat nëntëmujor përkundrejt interesit mesatar të ponderuar prej 6.05 për qind.

Në atë kohë, qeveria nuk i kishte emetuar ende eurobondet, të cilat tani mund të shërbejnë si një çmim referencë për bonot në euro. Në mars të këtij viti, Ministria e Financave emetoi 17.5 milionë euro bono 9-mujore në euro përkundrejt interesit mesatar prej 6.39 për qind, ndërsa sot pritet të emetohen 10 milionë euro të tjera, shkruan Shqip.

Kursi i këmbimit duket se nuk krijon probleme për qeverinë në rastin e emetimit të bonove në euro, për shkak se pavarësisht se të ardhurat e buxhetit janë në lekë, 70 për qind e tyre arkëtohen në dogana për mallrat e importuara. Rrjedhimisht, dobësimi i lekut kundrejt euros, nga njëra anë rrit koston e bonove në euro dhe nga ana tjetër rrit të ardhurat e qeverisë në dogana.

Bankat që prej disa vitesh kanë akumuluar më shumë depozita në valutë të huaj se sa në lekë, ndërsa edhe kapitali i tyre aksioner është paguar në euro. Interesat e bondeve sovrane në euro të emetuara nga Shqipëria vitin e kaluar kanë arritur në mbi 11 për qind në tregun ndërkombëtar gjatë javëve të fundit, duke e mbyllur efektivisht mundësinë e huamarrjes së re ose diversifikimit të kohës së emetimit të bondeve përmes operacioneve të blerjes dhe riemetimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version