Telegrafi

Shqipëri, Qeveria bën gati supertenderin e naftës

Në “lojë” janë rreth 14 milionë dollarë, për disa nënprodukte nafte, ndërsa sasia është porositur nga Kryeministria, ministritë dhe institucionet e vartësisë, pra bëhet fjalë për qindra tonelata karburant, që do të shërbehen për të gjithë vitin.

Ky është një ndër tenderët me vlerën më të lartë të zhvilluar ndonjëherë për blerjen e naftës, pas atij të vitit të kaluar, për 10 milionë dollarë.

Sipas portalit karburant.com, tenderi do të zhvillohet nga Ministria e Brendshme, departamenti i prokurimeve të përqendruara dhe bëhet fjalë për sasi nafte të tipit lëndë djegëse për automjete-karburant Diesel, për vlerën rreth 10 milionë dollarë, kurse pjesa tjetër është lëndë djegëse për ngrohje industriale, benzinë për makina, naftë për kaldaja etj.

Duke e konvertuar me çmimin aktual, në dollar, rreth 1.5, vlerësohet një sasi për të paktën 10 milionë litra karburant, po të marrësh parasysh normën e fitimit jo më të lartë se 10 cent.

Theksojmë se tenderi nuk është shprehur me TVSH 20 për qind dhe po ta llogarisim bashkë me këtë vlerë, shifra totale e prokurimit shkon gati 17 milionë dollarë. /Telegrafi/