Site icon Telegrafi

Shqipëri, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se politika që do të ndiqet nga qeveria do të mbrojë konsumatorin dhe biznesin e vogël nga goditja që mund të vijë nga kriza energjetike.

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël”, deklaroi ministrja Ibrahimaj gjatë një interviste në media.

Ajo u shpreh se që në vitin 2015 qeveria shqiptare adresoi rritjen e çmimit për shtresat në nevojë. Sipas saj, janë paguar 4.5 miliardë lekë subvencione për kategoritë në nevojë gjatë vitit 2020.

“Shtresat që nuk mund të përballojnë një rritje të çmimit nuk do të goditen nga kriza energjetike. Qeveria do të garantojë që çmimi nuk do të rritet dhe do të garantojë furnizim me energji elektrike. Rritja e çmimeve nuk mund të përballohet nga qeveria për të gjitha kategoritë e përdoruesve”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja tha se ende nuk ka një vendim se sa do të jetë rritja e çmimit të energjisë për biznesin e mesëm dhe të madh, pasi grupi i punës po punon për modalitetet e rritjes së çmimit.

Ministrja theksoi se çmimi i energjisë pritet të bjerë në mesin e vitit që vjen, por se nuk pritet të kthehet në të njëjtin nivel që është tani.

“Do të vendoset një fond, rreth 200 milionë euro në varësi të kërkesës së OSHEE për importin e energjisë për këtë periudhë të vitit dhe vitin 2022. Do të krijohet një ekuilibër i ri për shkak të faktorëve që kanë sjellë rritjen, por nuk do të jenë në nivelin që janë tani. Pritet një ulje e çmimit duke gjetur një ekuilibër të ri. Ekspertët mendojnë se këto fonde do të jenë të mjaftueshme për të përballuar krizën, pasi do të kryqëzohen edhe me prodhimin vendas”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj u ndal edhe te propozimi i bërë nga Partia Demokratike për uljen e TVSH-së për çmimet e shportës si masë për të mbështetur shtresat në nevojë nga rritja e çmimeve për produktet bazë të konsumit.

Sipas saj, është faktuar nga eksperiencat e mëparshme që pavarësisht se është ulur TVSH, biznesi nuk e ka reflektuar te çmimi për konsumatorin këtë masë.

Lidhur me çmimin e bukës, ministrja u shpreh se rritja erdhi për shkak të rritjes së drithërave në tregjet ndërkombëtare.

Ibrahimaj u ndal edhe te situata ekonomike në vend.

“Rritja ekonomike e tremujorit të dytë ishte rreth 18 %. Edhe si 6-mujor rritja ekonomike ishte e mirë. Kjo rritje erdhi nga rritja e të ardhurave, rritja e tregtisë, etj. Të ardhurat e gjeneruara na kanë mundësuar një hapësirë për të rialokuar disa fonde për të përballuar krizën”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj vuri në dukje se rritja ekonomike për vitin 2021 nëse do të hiqnim efektet e vitit 2020 do të ishte rreth 4.5 %.

“Të gjithë treguesit flasin për një riaktivizim të ekonomisë. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë shënuar rritje. Nëse ne do të vazhdojmë të nxisim investimet dhe me politikën që kemi nisur duke u kujdesur të përqendrohemi të mirëadministrimi fiskal rritja 4.5% deri në fund të mandatit është e mundshme”, theksoi ajo.

Fokus, sipas ministres Ibrahimaj, do të jetë edhe mbështetja për biznesin e vogël përmes granteve.

Më tej, ajo foli edhe për borxhin publik, ku tha se ai është aktualisht në nivelin 77%, ndërsa paralajmëroi rritje të tij deri në fund të këtij viti.

“Borxhi sot që flasim është në nivelin 76-77 %, pritet që deri në fund të vitit të shkojë deri në 80%”, tha ajo.

Ajo deklaroi se kriza energjetike nuk pritet të rrisë më tej borxhin publik./ATSH

Exit mobile version