Site icon Telegrafi

Shqipëri, nis vaksinimi i qytetarëve nëpër shtëpi

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se prej ditës së sotme ka nisur procesi i vaksinimit antiCOVID me njësitë e lëvizshme.

Vaksinimi në komunitet filloi sot nga Paskuqani, në periferi të Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.

“Punë fantastike e ekipit të qendrës shëndetësore #Paskuqan dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, me vaksinimin derë më derë, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë nga Covid19. Nisëm sot vaksinimin me njësitë e lëvizshme në komunitet, pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të vaksinohet, afër vendbanimit”, shkruan Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,016,554 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 431,722 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Exit mobile version