Telegrafi

Shqipëri, liberalizimi i vizave

Ky lajm historik për Shqipërinë, të cilës iu deshën 19 vjet të kapërcenin barrierat dhe historinë e eksodit të 1991-shit me hapjen e ambasadave, është përcjellë në të gjitha agjencitë e huaja të lajmeve. Mësohet gjithashtu se edhe vendet që votuan kundër rezolutës për heqjen e vizave në Parlamentin Evropian nuk mund ta bllokojnë më marrjen e vendimit përfundimtar në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Për agjencinë e lajmeve ANSA, burime diplomatike bëjnë me dije se marrëveshja është arritur dhe dyshimet e hedhura nga vende si Franca apo Holanda duket se janë tejkaluar. Ne shpresojmë në arritjen e konsensusit në mënyrë unanime, bëjnë të ditur burimet diplomatike nga Brukseli, megjithatë një vend i vetëm nuk mund ta bllokojë vendimin që do të merret me shumicë të kualifikuar.

Pas këtij vendimi, i cili do të duhet të botohet më së pari në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe publikimi i saj hap mundësinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Evropë. Megjithatë, vendet e Bashkimit Evropian, të cilat bëjnë pjesë në zonën Shengen, kanë marrë siguri nga Komisioni Evropian se Brukseli do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në këto vende, që përfitojnë nga heqja e vizave.

Liria me vizat do të jetë për 3 muaj, më pas për shtetasit që shkelin rregullat do të ketë penalizime. Lëvizja do të jetë për çdo shtet të zonës Shengen, përveç Britanisë dhe Irlandës. Komisioni i BE-së i ka kërkuar Tiranës zyrtare dhe Sarajevës zyrtare t’ua bëjnë të qartë qytetarëve të tyre se udhëtimi pa viza nuk është një biletë për azil ose qëndrim në BE, pas problemeve që u përball Evropa me azilkërkuesit e Maqedonisë vitin e kaluar.

Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të votojnë sot në shumicë pro heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mediat ndërkombëtare kanë bërë të ditur se vendimi i marrë në Parlamentin Evropian do të adaptohet me shumicë votash nga përfaqësuesit e qeverive të BE-së, që janë edhe hallka e fundit vendimmarrëse në këtë drejtim. “Vendimi do të hyjë në fuqi pak para Krishtlindjeve”, citoi një ditë më parë gazeta “Eu Observer”.

Një ditë më parë, kjo gazetë përcolli skepticizmin e Francës, e cila mban një qëndrim të rezervuar ndaj vendimit ku ministri i saj i Brendshëm duhet të votojë dhe arsyeja lidhet vetëm me shkakun e emigracionit të pakontrolluar.

Po kështu, edhe Holanda është treguar kritike, duke e vendosur theksin te mungesa e reformave, cilësia e demokracisë, por edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar. Por vendimi për Shqipërinë dhe Bosnjën nuk do të vihet në dyshim për aq kohë sa vendimi do të merret me shumicë votash.

Pavarësisht një vendimi pozitiv për vizat, progres-raporti i vitit 2010 ka përcjellë kritika për Shqipërinë dhe duhet nënvizuar se ai është një dokument i përbashkët i BE-së. Më real është shqetësimi që pason hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë, për të cilat BE-ja do të testojë edhe prirjen e qytetarëve shqiptarë.

Në mjaft deklarime dhe qëndrime, por edhe në fushatën e nisur nga qeveria shqiptare, opinioni po përpunohet me idenë se heqja e vizave nuk jep të drejtën e një qëndrimi të pakufizuar në hapësirën Shengen. /Top-Channel/