Është mbyllur zyrtarisht orari për procesin e votimit në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të Shqipërisë.
654.538 qytetarë shqiptarë kishin mundësinë të ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar se kush do e drejtojë bashkinë e tyre në Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës.
Në këto zgjedhje garuan kandidatë nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe koalicioni “Shtëpia e Lirisë” që përfshinte një pjesë të PD e drejtuar nga Sali Berisha, LSI dhe PDK.
Edhe në këto zgjedhje u aplikua identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa në bashkinë e Vorës zgjedhësit kishin mundësinë të votonin në mënyrë elektronike.
Procesi i votimit nuk shënoi ndonjë incident të rëndë përveç disa problematikave në Vorë dhe 3 qendra në Shkodër ku nuk u votua.
Në bashkinë e Vorës pati një debat mes palëve të përfshira në zgjedhje pasi Partia Demokratike nuk kishte caktuar komisionarë me vendbanim në këtë bashki për të qenë pjesë e QV-ve.
Ndërsa në Shkodër, në 3 qendra votimi në Shosh dhe Pult qytetarët e patën të pamundur të votonin pasi komisionarët nuk arritën të shkonin në QV për shkak të borës së dendur që kishte bllokuar rrugën.
Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje pritet të jetë e ulët./A2