Site icon Telegrafi

Moisiu: Vuçiq, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu.

Ai thekson se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi që vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë.

Në një intervistë për KosovaPress, Moisiu thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë, megjithatë, ish-presidenti i Shqipërisë thekson se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë.

“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, është shprehur Moisiu.

Sipas tij, është e pa imagjinueshme që presidenti serb të mos ketë pasur dijeni për sulmin terrorist në Banjskë.

“Ai Vuçiq është kryetar i shtetit serb. Unë nuk mund të imagjinoj dot se një shtet si Serbia, që është një shtet diktatorial me të thënë të drejtën, se vepron dikush pa e ditur kryetari i shtetit. Unë këtë nuk e imagjinoj dot. Mund të thuhet çka do, por unë nuk e besoj dot. Ai ka qenë brenda dhe ka dorë në këto gjëra sulmin terrorist në Banjskë. Kjo është shqetësuese”, ka thënë ish-presidenti.

Moisiu përmend ambiciet hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën, megjithatë thekson se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Këtë vit, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe – në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Exit mobile version