Telegrafi

Shqipëri-Kosovë, kredi për interkonjeksionin

"Përmes paktit të parë synohet lidhja e rrjetit energjetik shqiptar në kuadrin e zgjerimit të lidhjeve. Ky pakt synon fuqizimin e rrjetit të transmetimit shqiptar në hyrjen e rrjetit Europian të transmetimit", u shpreh ministri i Financave, Ridvan Bode, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, deklaroi se këto dy marrëveshje do të trefishojnë mundësitë eksportuese dhe importuese të Shqipërisë dhe do të garantojnë sistem të sigurt energjetik për pjesën jugore të vendit. Linja e interkonjeksionit me Kosovën shikohet si veçanërisht strategjike, për shkak se do të lejojë bashkimin faktik të dy sistemeve energjetike, ndërsa shkëmbimi i energjisë në periudha të ndryshme të vitit apo orare të ndryshme ditore, do të rrisë eficencën e përdorimit të burimeve në të dyja vendet me përfitime të konsiderueshme financiare.

Kosova e prodhon energjinë elektrike me termocentrale qymyri, të cilat mund të shërbejnë për të mbuluar kërkesën bazë në të dyja vendet, ndërkohë që hidrocentralet shqiptare të veriut do të mund të përdoren për prodhimin e energjisë në orare pik.

Në këtë mënyrë, varësia e Shqipërisë dhe Kosovës nga importet e dritave nga vendet e tjera pritet të ulet ndjeshëm. Shqipëria ka aktualisht vetëm një linjë interkonjeksioni ndërkombëtare me madhësi 400 kilovolt që lidh Elbasanin me Greqinë. Vitin e ardhshëm, një linjë e dytë me Malin e Zi pritet të hyjë në punë, ndërsa pas lidhjes me Kosovën, Shqipëria do të ketë mundësi zgjedhjeje se nga do ta importojë apo eksportojë energjinë e vet.