Site icon Telegrafi

Shqipëri-Kosovë-Itali, bashkë kundër terrorizmit

Grupi i punës që do të ngrihet do të shkëmbejë informacion mes tyre dhe do të adresojë raste dhe çështje direkte, për persona që dyshohet se merren me terrorizëm.

Por ministri Tahiri dhe homologu italian ftuan si pjesë të këtij grupi edhe Kosovën, si dhe vende të tjera të rajonit që duan të luftojnë terrorizmin.

"Grupi i përbashkët nis si grup biletarel por sigurisht është i hapur për kontributin e vendeve të tjera – më së pari sigurisht Kosova. Unë nuk mund të jap detaje por e sigurt është që vetëm bashkëpunimi ndërmjet nesh mund të çojë në adresimin më të mirë të këtij fenomeni për ata që nisen por dhe për ata që kthehen (në Siri) të cilët menjëherë kanë konsumuar një akt terrorist sipas legjislacionit të ndryshuar të kodit penal të Republikës së Shqipërisë", tha ministri Tahiri.

Nga ana e tij ministri italian Alfano mori përsipër angazhimin që t’i propozojë presidencës lituaneze në BE që ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor të jenë në të njëjtat tryeza me ministrat e Bashkimit Evropian për të diskutuar mbi masat që do të ndërmerren për luftën kundër terrorizmit.

Sipas tij kjo është mënyra më e mirë për të adresuar luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe radikalizmit.

Duke folur për Italinë, ministri tha se nuk ka kërcënime konkrete, dhe se dyshimet për në Vatikan interpretohen sipas interesit.

"Ai flamur i zi që valëvitet mbi kupolën e Vatikanit nga i vetëshpalluri Khalif mund të interpretohet sipas asaj mënyre që ata duan ta interpretojnë. Megjithatë ne nuk kemi asnjë kërcënim konkret dhe as sinjale për organizmin e ndonjë atentati por gjithsesi kjo nuk na bën që ne të ndihemi të qetë", tha ministri italian Alfano. /KP/
 

Exit mobile version