Telegrafi

Shqipëri-Kosovë, biznesi në vështirësi

“Treguesit që sot ekzistojnë, tregojnë që ende bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivelin që ne e kemi pritur apo të cilin ne e dëshirojmë. Sigurisht që kanë ndikuar rrethanat e caktuara, veçanërisht kushtet e vështira të transportit etj., etj., por në përgjithësi ne duhet të funksionojmë si një ekonomi rajonale, duke shfrytëzuar përparësitë komplimentare që kemi dhe të ndërhyjmë në projekte më të mëdha rajonale, përmes të cilave do të ishim më atraktivë në tërheqjen e investitorëve të jashtëm në udhëheqjen e projekteve që do të krijonin rrethana për zhvillimin e ekonomisë së dy vendeve”,- ka theksuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.

Ndërkohë që Rexhepi ka shprehur pakënaqësitë e tij edhe lidhur me bashkëpunimin e vetë biznesmenëve të një kombi.

“Kam përshtypjen që komunikimi i biznesmenëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivelin e dëshiruar. Ky komunikim duhet thelluar dhe duhet të rritet besueshmëria midis biznesmenëve apo komitetit të biznesit Kosovë-Shqipëri dhe për këtë, bankat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm. Ekziston MTL-ja, ekzistojnë shumë lehtësira që mundësojnë këtë komunikim, por nuk po shfrytëzohen sa e si duhet nga biznesi. Duhet që biznesmenët të ndërtojnë besimin reciprok dhe të punojnë në projekte më të mëdha, nga të cilat do të përfitonin të dy vendet, ku industria financiare, pra sistemi bankar duhet të japë ndihmesë më shumë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, financimit të projekteve të caktuara midis dy vendeve në mënyrë që të krijohen mundësitë dhe kushtet më të favorshme për bashkëpunim”, theksoi në vazhdim Hashim Rexhepi.

Por sipas Guvernatorit të Bankës së Kosovës, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë do të rritë bashkëpunimin ekonomik, komunikimin dhe do të ndikojë në thellimin e mëtejshëm në të gjitha aspektet, veçanërisht në ato ekonomike. Duke folur për sistemin financiar në Kosovë, Guvernatori i Bankës Qendrore të shtetit më të ri në botë, tha se në sistemin financiar të Kosovës dominojnë bindshëm investitorët e jashtëm si në banka, kompanitë e sigurimeve, por edhe te fondet pensionale.

Kështu që nga asetet e përgjithshme që sot ka sektori financiar i Kosovës, 92% janë asetet që kontrollohen nga sektori i jashtëm, të cilët operojnë në Kosovë, të cilët kanë kontribuar me të madhe në zhvillimin e këtij sistemi, duke patur parasysh se këto janë kryesisht institucione të fuqishme që kanë sjellë eksperiencat më të mira, produktet dhe kanë kontribuar në zhvillimin e sistemit financiar të Kosovës.

Në vazhdim, guvernatori i Bankës, Rexhepi ka potencuar edhe për rolin që kanë institucionet financiare të Shqipërisë, të cilat sot operojnë në Kosovë. “Sot në Kosovë operojnë me sukses tri shoqëri sigurimesh nga Shqipëria dhe janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin e tregjeve të sigurimit në Kosovë, në veçanti përfitimi i Kosovës nga këto ka qenë duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në sektorin e industrisë së sigurimeve në Shqipëri, me ardhjen e partnerëve të fuqishëm strategjik, të cilët kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në industrinë e sigurimeve në Kosovë”.

Duke folur për treguesit ekonomiko-financiarë ku gjendet Kosova, Guvernatori i Bankës Qendrore të këtij vendi, tha se Kosova në vitin 1999 startoi nga zeroja apo nga minusi, ku e tëra ajo çka ishte ndërtuar u shkatërrua, si në ekonomi, si në sistemin financiar, pa bërë fjalë për atë se çfarë është më e rënda në jetën e njerëzve.

Por duke ju falënderuar ndihmës së madhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, duke falënderuar angazhimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Kosovës, ai e konsideroi se për këto tetë vite rezultatet janë inkurajuese që janë arritur në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

Duke folur për sektorin real të ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Kosovës, Hashim Rexhepi, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, tha se ekonomia e Kosovës dhe Kosova është vendi më i varfër në regjion dhe vendi më i varfër në Evropë. “Sigurisht, kjo nuk është diçka e re, është e kuptueshme pse është ashtu.

Nuk është ashtu për shkak se kosovarët janë të atillë, nuk është ashtu se kosovarët janë të papunëtorë, nuk është ashtu se kosovarët nuk dinë të bëjnë biznesin, por rrethanat e përgjithshme nëpër të cilat kaloi Kosova, kanë ndikuar që sot të jemi në këtë nivel”,- argumentoi Rexhepi.