Telegrafi

Shqipëri, konsumi bie për 20 % për shkak të krizës

Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve po vazhdojnë ta japin produktet ushqimore, norma e tyre e inflacionit është mbi 6 për qind në muajin mars, shumë më e lartë se një vit më parë.

Drithërat, duhani, lëndët e para për industri importohen tërësisht. Indeksi i çmimeve të konsumit sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), ishte 4.3 për qind në muajin mars nga 4 për qind që është objektivi i BSH-së. Ndërsa ritmet e rritjes së çmimeve u ulën gjatë kësaj periudhe krahasuar me muajin shkurt, ato janë më të larta krahasuar me një vit më parë.

Sipas INSTAT-it, indeksi i çmimeve është pothuajse në nivelet më të larta të arritura në muajt e parë të vitit 2008.

Në këto kushte po vihet re tendenca e tkurrjes së konsumit për disa prej produkteve bazë, që vlerësohet të ketë arritur në 20 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas rrjeteve të shitjes me pakicë dhe prodhuesve vendas. Ata tregojnë se shqiptarët po blejnë më pak veshje, karburant, por edhe produkte bazë ushqimore. /Telegrafi/