Telegrafi

Shqipëri: Humbjet nga kreditë e këqija mbi 13 milionë dollarë

Humbjet për shkak të kredive të këqija janë rritur me 70 për qind krahasuar me një vit më parë, kur ato ishin gati 8 milionë dollarë. Ndërsa krahasuar me tetorin e vitit 2008, ato janë rritur me 1.6 herë.

Të dhënat tregojnë se kreditë e këqija arritën në fund të dhjetëmujorit në 14.1 për qind e totalit, ose afro 670 milionë dollarë. Por edhe me rritjen e humbjeve nga kreditë e këqija bankat ja kanë dalë sërish të realizojnë fitime, raporton Top Channel.

Sipas të dhënave për dhjetëmujorin fitimet e bankave ishin në total 43 milionë dollarë, me një rritje prej 1.7 herë krahasuar me vitin e kaluar. Sistemi bankar në Shqipëri mbetet një nga më fitimprurësit në rajon, kjo edhe për shkak të normave të larta të interesit që i ngarkojnë kredive.

Pak kohë më parë banka botërore publikoi një raport në të cilin, llogariste se diferenca mes interesit të kredive dhe atyre të depozitave në Shqipëri është mesatarisht 2 deri në 3 për qind më lartë se mesatarja e rajonit. /Telegrafi/