Telegrafi

Shqipëri, humbin jetën edhe dy persona nga coronavirusi

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, ka njoftuar se kanë humbur jetën dy persona të cilët ishin prekur nga COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë, bën të ditur se pacientët kishin edhe probleme tjera shëndetësore.

“Gjatë orëve të fundit një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Pas një rëndimi të papritur, 67-vjeçari nuk arriti të mbijetojë nga disfunksioni kardio-respirator, pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe ventilimit mekanik. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe alzheimer.

Më herët, po në Spitalin Infektiv ndërroi jetë nga COVID-19 një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Pavarësisht mjekimit dhe asistencës mjekësore, 73-vjeçarja nuk mundi të mbijetojë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë, u ka shprehur ngushëllime familjeve të të ndjerëve që humbën njerëzit e dashur në këtë betejë.

Ndërkaq, nga fillimi i pandemisë e deri tani në Shqipëri kanë humbur jetën 41 qytetarë./Telegrafi/