Telegrafi

Shqipëri, gjatë vitit 2010 zbutje e papunësisë për 0.3%

Ministri i Punës, Spiro Ksera, njëherësh edhe kryetar i KKP, që në krye vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të dialogut social në vend dhe diskutimin e të gjithë problematikës ekonomiko-sociale të vendit në organin më të lartë trepalësh, Këshillin Kombëtar të Punës.

“Zhvillimi dhe fuqizimi i dialogut social është, ndër të tjera, edhe një kërkesë dhe detyrë që duhet të përmbushë Shqipëria në kuadër të integrimit evropian të vendit”, u shpreh Ksera.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, u ndal në treguesit e tregut të punës për vitin 2010 dhe punën që bëhet për informatizimin e tij. Miço deklaroi se nga të dhënat e fundvitit 2010, rezulton se niveli i papunësisë së regjistruar arrin në 13.5% nga 13.8% në fund të vitit 2009, pra vërehet një rënie prej 0.3%, tregues ky i rritjes së performancës së shërbimeve të punësimit, por edhe ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuto, vuri në dukje se, përveç legjislacionit gjatë vitit 2010 është punuar edhe për rritjen e numrit dhe të cilësisë së inspektimeve me qëllim kontrollin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës në të gjithë sektorët. Sipas Çutos, numri i subjekteve të inspektuara gjatë vitit 2010 është 3.000 subjekte më shumë se inspektimet e vitit 2009, ku në fokus për herë të parë kanë qenë turnet e dyta dhe të treta të punës.

Ministri Ksera informoi partnerët edhe për nismën e ndërmarrë nga Qeveria dhe Ministria e Punës për përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike, një poçes që është në vazhdim dhe që pritet të sjellë mbështetje më të mirë për individët dhe familjet në nevojë dhe arritjen e objektivit ambicioz të Qeverisë për zhdukjen e varfërisë absolute deri në 2012. Partnerët mbështetën reformën dhe vlerësuan se ka ardhur koha që të kalohet nga një skemë pasive të ndihmës ekonomike në skemë aktive, ku pushteti vendor i përdor fondet për të krijuar vende pune dhe për të hartuar e zbatuar projekte të punëve në komunitet.

Po ashtu, ministri informoi partnerët se gjatë vitit në vazhdim prioritet i politikave të formimit profesional dhe të nxitjes së punësimit do të jetë sektori i turizmit, zhvillimi i të cilit është edhe prioritet madhor i Qeverisë.

Këshilli Kombëtar i Punës është institucioni më i lartë konsultativ trepalësh, i cili përbëhet nga 27 anëtarë, 10 përfaqësues të punëmarrësve, 10 të punëdhënësve dhe 7 anëtarë të Qeverisë. /Telegrafi/