Në Shqipëri, gjykatësja e Krujës Enkelejda Hoxha u arrestua sot pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nën dyshimet se kundrejt ryshfeteve jepte vendime për ulje të dënimit për disa të burgosur. Bashkë me të janë arrestuar dhe 9 persona të tjerë, mes të cilëve një avokat që mbante lidhje me gjyqtaren, të afërm të një të dënuari dhe disa ndërmjetës. Gjyqtarja Hoxha ishte në proces për shkarkimin nga detyra pas një kërkese të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për një tjetër rast të lirimit para kohe të një të dënuari
Emri i gjyqtares Enkelejda Hoxha është lakuar disa herë vitet e fundit, për disa vendime të dyshimta që kanë çuar në lirimin nga burgu të disa prej emrave më në zë të krimit në Shqipëri. Hetimi që çoi sot në arrestimin e saj, zbuloi sipas SPAK-ut një skemë të mirëfilltë me ndërmjetës dhe një avokat, të cilët, në këmbim të parave nga 6 mijë deri 12 mijë euro, dyshohet se ofronin për të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës, mundësinë e uljeve të dënimit, falë lidhjes pikërisht me gjyqtaren Hoxha.
Në pranga ka përfunduar avokati Aldo Tabaku, pika kryesore e lidhjes me gjykatësen si dhe të paktën tre persona të tjerë të cilët dyshohen se shërbenin si ndërmjetës: Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, dhe
Isuf Tanuzi, të tre të dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim”.
Rasti për të cilin Prokuroria e Posaçme duket se ka siguruar prova, përmes një seri përgjimesh, i përket të burgosurit Saimir Petani, i dënuar për vrasje në vitet ’90 në Shqipëri, dhe më pas i dënuar dhe në Itali, prej nga ishte ekstraduar. Petani kishte përfituar disa ulje dënimi, po nga gjyqtarja Hoxha, dhe së fundmi kishte bërë një tjetër kërkesë. Në pranga ka përfunduar dhe i vëllai i tij Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim” dhe një tjetër person i afërt me të, Altin Skëndaj, i dyshuar për të njejtën vepër penale. Të dy dyshohen se kanë bërë pagesën që do duhej të shkonte për gjykatësen.
Në këtë skemë është përfshirë dhe sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi, e cila kishte bërë të mundur që kërkesa e të dënuarit të përfundonte në duart e gjyqtares Hoxha.
Një raport që Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i ka dorëzuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, me kërkesën për shkarkimin e gjyqtares Hoxha vë në dukje se “harkun kohor maj 2017- shkurt 2019, gjykatësja Hoxha ka dhënë 6 vendime të cilat “përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Ka zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njëanshme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penale”.
Kërkesa për largimin e saj nga rradhët e gjyqësorit ishte mbështetur në rastin e lirimit para kohe të një të dënuari për vrasje, Hekuran Billa, i cili më pas u vra në qershor të vitit të shkuar. Për të njejtin rast Inspektori i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe shkarkimin e prokurorit Bujar Memia “për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës”.
Ndërkohë hetimi ndaj gjykatëses Hoxha çoi dhe në zbulimin e dy ngjarjeve të tjera. Njëra që lidhet me ekspertin psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Shkëlqim Korbi , i dyshuar për “ekspertim të rremë” dhe një tjetër ngjarje që përfshin sistemin shëndetësor. Sipas hetimeve dyshohet se sekretarja e Gjykatës së Krujës Mallakuçi, ka dhënë para për operacionin e së ëmës. Një mjek kardiokirurg, Edvin Prifti, dhe një infermiere, Trëndafile Frangu, janë pezulluar nga detyra, nën dyshimet për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”./VOA