Telegrafi

Shqipëri: Energjia e vjedhur 75 milionë euro

Në këto kushte, OSSH e ka edhe më të justifikuar kërkesën për të rritur çmimin e energjisë elektrike, që do t’i mundësonte më shumë të ardhura për të realizuar investimet në rrjet dhe për të ulur humbjet.

Të dhënat rreth nivelit të humbjeve të energjisë elektrike dhe të bilancit energjetik në tërësi u publikuan dje nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sipas të cilit “firot” në rrjet janë rritur me 3.7 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë 2010 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sipas INSTAT-it, humbjet përbëjnë 27.2 për qind të sasisë së energjisë për përdorim.

OSSH ka nisur prej kohësh aksionet për të sensibilizuar konsumatorët që të paguajnë energjinë elektrike, ku nuk kanë munguar edhe ndërhyrjet me forcë për të ndërprerë linjat e paligjshme dhe të dyfishta elektrike. Në listën e debitorëve të OSSH nuk mungojnë as institucionet shtetërore, si spitalet, ujësjellësit, komisariatet etj., të cilat janë paralajmëruar disa herë për ndërprerje të energjisë, në rast se nuk paguajnë faturat e energjisë.

Në tërësi, prodhimi i energjisë elektrike në vend ka pësuar rritje të konsiderueshme në pjesën e parë të vitit, si pasojë e reshjeve të mëdha në janar-shkurt, që çuan në superprodhim të hidrocentraleve. “Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 52.1 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2009. Energjia elektrike e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2010 është 4 milionë e 554 mijë megavat dhe zë 96.2 për qind të sasisë gjithsej të energjisë”, tregon INSTAT. /Tch/Telegrafi/