Një grua rreth 50-vjeç është sjellë nga karantina e spitalit të Lushnjes në QSUT në Tiranë, pasi ka shfaqur simptoma të ngjashme me coronavirusin, si vështirësi në frymëmarrje, temperaturë të lartë dhe dhimbje artikulacionesh.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se gruaja M.V nga Ngurëza e Lushnjes kishte dy ditë që ishte rikthyer nga Italia ku jetonte në Padova.
Fillimisht është ekzaminuar në spitalin e Lushnjes ndërsa më pas është izoluar në karantinën e këtij spitali.
Ajo është transportuar me urgjencë në QSUT pas dyshimeve se mund të jetë prekur nga coronavirusi.
Tashmë zonjës në fjalë po i bëhen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar më pas nëse është mbartëse e virusit vdekjeprurës.
Ndërkohë në Itali, shteti nga erdhi 50-vjeçarja deri më tani janë regjistruar 197 vdekje ku 49 prej të cilave kanë qenë vetëm 24 orët e fundit.