Dhjetëra pasuri të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja janë sekuestruar gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.
Sipas SPAK, në zbatim të vendimit të gjykatës me objekt “Vendosjen e sekuestros preventive”, janë sekuestruar 42 pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 katësh dhe katër llogari bankare.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në 8 ambiente në ndryshme në përfundim të të cilëve është sekuestruar një shumë e madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një shumë totale mbi një milion euro si dhe prova të tjera materiale që paraqesin interes për hetimin.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion caktoi masa sigurie personale për 33 shtetas. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 31.07.2024 masa nsaj 13 shtetasve ndërkohë që 2 shtetas të tjerë gjenden të arrestuar jashtë vendit.
Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Gjithashtu, evidentohet se, shtetasi F. G. (ndryshe F. Ç.), në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.