Telegrafi

Shqipëri, bien normat e interesit

Siç shihet nga grafiku, normat e interesit për instrumentet afatshkurtra të borxhit kanë rënë me mbi 1 për qind në harkun e një viti, ndërkohë që për letrat me vlerë afatgjata rënia e interesave është më e thellë, deri në mbi 3 pikë përqindjeje, si në rastin e obligacioneve 5 vjeçare.

Në muajt korrik-nëntor interesat e depozitave për të dy monedhat kryesore kanë vazhduar të bien, duke rezultuar mesatarisht 5.13 për qind për lekun dhe 2.16 për qind për euron. Sipas Bankës së Shqipërisë, një tjetër zhvillim pozitiv është zhvendosja e depozitave drejt maturiteteve më të gjata. Në gjashtë mujorin e dytë depozitat u rritën gjithsej me 17.2 për qind, ndërkohë që krahasuar me gjysmën e parë të vitit vërehet rritje e kontributit të depozitave në valutë.

Normat mesatare të interesit për kreditë e reja u ulën ndjeshëm në lek dhe lehtësisht në euro. Për lekun, norma mesatare e ponderuar e interesave të kredisë rezultoi 12.25 për qind, me një rënie prej 111 pikë bazë krahasuar me gjysmën e parë të vitit, ndërsa për euron 7.53 për qind, dy pikë bazë më pak se në gjashtëmujorin e parë. /Telegrafi/