Telegrafi

Shqipëri, barnat duhet të kenë pullë kontrolli

Qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik", elementet e pullës së kontrollit të barnave, si dhe procedurat e prodhimit, të shpërndarjes e të monitorimit përcaktohen në dispozitat e ligjit "Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive "Sicpa Security Solutions S.A." dhe "Sicpa Security Solutions Albania SH..K".

Pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së vetme të paktën deri në 31 dhjetor 2011. Dizajni dhe elementet e pullës së vetme të kontrollit të barnave miratohen nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, për koncesionarin. Po ashtu, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të përcaktojë kohën kur do të fillojë aplikimi i pullës dyfishe.

Menjëherë pas aplikimit, pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave do të përbëhet nga një pullë bazë, e cila mbetet në paketimin e barit, dhe një pullë vetëngjitëse, e cila shkëputet nga paketimi i barit nga farmacisti dhe vendoset mbi recetën e mjekut, rast pas rasti, me qëllim kontrollin dhe monitorimin e shitjes së barnave me recetën e mjekut dhe të funksionimit të skemës së rimbursimit të barnave.

Do të jenë ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Financave, që me udhëzim të përbashkët, përcaktojnë modalitetet për procedurat e prodhimit, të stampimit, të kodimit, të shpërndarjes, të aplikimit e të monitorimit të pullave të kontrollit të barnave. /Telegrafi/