Telegrafi

Shqipëri: Asgjë nuk e ndal shtrenjtimin e bukës

Kryetari i Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë, Murat Klobocishta, tha se nuk ka rrugë tjetër, veçse të rritet çmimi. Megjithatë, një masë emergjente sugjerohet të jetë rishikimi provizor i taksave direkte që ndikojnë në koston e importit të grurit.

“Aktualisht paguhet taksë doganore 2 për qind dhe Tatim mbi Vlerën e shtuar 20 për qind. Nëse do të rishikohen provizorisht këto dy taksa, atëherë çmimet do të jenë më të ulëta”, tha Klobocishta.

Unioni i Tregtarëve Agroushqimorë shprehet i shqetësuar dhe i ofenduar nga trajtimi që u bëhet bizneseve të prodhimit të miellit dhe prodhuesve të bukës për “rritje abuzive të çmimeve”.

Sipas tyre, në 15 vitet e fundit, si pasojë e investimeve në sektor, teknologjinë e prodhimit të miellit ushqimor, është bërë e mundur që në Shqipëri të mbahet çmimi më i ulët për 1 kilogram miell dhe për rrjedhojë dhe për 1 kilogram bukë, jo vetëm në krahasim me vendet europiane, por dhe me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. /Shqip/