KQZ ka nisur punën për të rinumëruar 526 kuti nga zgjedhjet e 14 majit. Ashtu si e parashikon kodi zgjedhor, 10% e kutive të zgjedhura me short, do i ushtrohen procesit të verifikimit, nëse ka ose jo manipulim votash.
Në ambientin e brendshëm të KQZ, 6 grupe numërimi po punojnë intensivisht për të rinumëruar votat për kryetar dhe këshill bashkiak në 526 qendra votimi. E para bashki që përfundoi ishte Malësia e Madhe, ku në rezultatin e votave për kryetar nuk u vërejt asnjë parregullsi.
Ndërsa për Këshillin Bashkiak diferencat janë të vogla, dhe që nuk nënkuptojnë asnjë gabim me qëllim manipulimin e votave.
Në 10% e qendrave të votimit që po numërohen përfshihen dhe bashkitë e Rrogozhinës dhe Kukësit, ku pati përsëritje zgjedhjesh.
Ky proces nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim në rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit. I vetmi rezultat që mund të prodhojë është përgjegjësia penale që do të ketë çdo numërues që mund të ketë ndikuar në mënyrë të paligjshme për të tjetërsuar vullnetin e votuesve.
Rinumërimi i 10% të kutive të votimit u përcaktua në kodin zgjedhor 2 vite më parë, kur u vendos që për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 të kishte një rikontroll të rezultatit.
Nga ky proces u evidentuan tentativa të shumta për të deformuar rezultatin. Nga ana e KQZ u bënë disa kallëzime penale për numëruesit./TV klan